“Prisni bishtin e një peshku ton femër… dhe piqeni nga të dyja anët, duke hedhur pak kripë dhe vaj. Hajini të ngrohta copat e peshkut duke i ngjyer në salcë pikante. Janë të shijshme edhe pa salcë… por po t’u hidhni edhe pak uthull sipër, kthehen në perfeksion.”
Këto ishin këshillat kulinare të Arkestrausit të Gelës, një gustator që jetonte në një nga kolonitë greke të Siçilisë, rreth mesit të viteve 300 para erës së re. Po të kemi parasysh vijën e gjatë bregdetare të Greqisë, është e qartë që peshku luante një rol mjaft të rëndësishëm në dietën greke. E megjithatë peshkimi dhe shitblerja e peshkut shfaqen rrallëherë në artin grek.
Një shembull i mire është kjo figurinë e zezë athinase, që quhet “kiliks” ose kupë, e cila paraqet një treg ku shitet peshk. Nga njëra anë e saj, tregohet një peshkatar që po përgatit peshkun ton për shitje duke e prerë feta-feta, ndërsa në tavolinën pas tij duken pjesë të një peshku tjetër që ai e ka prerë më parë dhe koka e peshkut që ka rënë tek këmbët e tij. Në anën tjetër të kupës duket një burrë që po mban në dorë një peshk ton, të cilin ndoshta sapo e ka zënë. Kupa mendohet të jetë pikturuar nga një artist që i ka qëndruar pranë piktorit greko-atik, Teseusit, i cili ka ka punuar rreth viteve 510-490 para erës së re.
Burimi: Muzeu “Geti”, SHBA